White City Berat

Book a room

Berat History

Historia duhet të ketë përqendruar këtu drama dhe tragjedi. Duke qenë një nga qytetet më të rëndësishme të mbretërisë ilire, u banua nga një tribu e madhe: Dasaretët .
Por, përveçse ka një larmi kulturash politike, Berati ka një pasuri arkitekturore të jashtëzakonshme. Kjo është arma më e fuqishme e qytetit për t’u vizituar. Berati mendohet se është i pari dhe i vetmi qytet shqiptar që ka gërvishtur arkitekturën deri në kockë. Harmonia e qytetit është e veçantë, arti i ndërtimit ecën njësh me terrenin sikur të kishin lindur ashtu që në fillesat e universit. Për të qene me të qartë dhe për ta kuptuar më mirë origjinën dhe të kaluarën e qytetit duhet që të njohim paksa historinë e tij. Berati është një ndër qytetet e rrallë, i cili i takon agimit të njerëzimit. Një kohë, kur ujërat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi, i zbuluar nga natyra në sajë të këtij lumi, i cili duket të jetë vënë posaçërisht për të mirëpritur një qytet ku jeta filloi të organizohej për më shumë se 2400 vjet.
Me rënien e perandorisë bizantine, Berati u bë një prej qendrave kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit. U bë rezidenca e Mikele I Angelo Komneno zotëri i Dioqezës së Epirit. Në hyrje të kështjellës, në portën jugore, gjendet një monogramë e përbërë prej gurësh, një kryq e katër gërma ku shkruhet M.H.L.K., i cili është emri i dhespotit, M. (I) H. (a) L. K. (Omneni). Kjo rrënjë e familjes së madhe bizantine të Angelo Komneni merr fund në vitin 1216 por, pasardhësit e tij do të mbajnë këtë emër edhe për gjysmë shekulli. Për perandorin bizantin, Berati ishte kaq i rëndësishëm, saqë tërhoqi menjëherë vëmendjen e Anxholinëve në vitin 1271. Disfata e Anxholinëve, të cilët kishin zaptuar qytetin për gati dhjetë muaj, u festua me gëzim të madh si në Berat,ashtu edhe në Kostandinopojë. Ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda Kështjellës së Beratit (një emër që të kujton pallatin perandorak të Kostandinopolit) lidhet me këtë fakt. Data e krijimit të kishës mban, në fakt, të njëjtën periudhë. Në kodet antikë të Beratit, të vitit 1280, gjenden të parat lajme mbi daljen e qytetit jashtë mureve të kështjellës. Nga këto tekste evidentohet që ndërtime të reja filluan edhe jashtë edhe jashtë mureve.
Në vitin 1417 Berati u mor nga turqit. Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit V të Aragonës për t’i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë. Gjatë invazionit otoman Berati mbetet një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Në fillim u bë kryeqendra e provincës, në shekullin XVII, qendër e dominimit të Pashallëkut të Beratit, i cili më vonë i bashkohet Pashallëkut të Janinës. Dominimi i Pashallëkut të Beratit u bë shumë i rëndësishëm nën Ahmet Kurt Pashain. Deri në fillim të shekullit XX qyteti kishte një infrastrukturë të mirë. Ishte, në fakt, një nyje lidhëse drejt Lindjes, për Kostandinopolin, por edhe drejt Jugut, për Janinën, e prej andej, për gjithë Greqinë.

Çfarë na ofron sot qyteti?!
Përveç bukurisë dhe rëndësisë së dikurshme Berati vazhdon të jetë i tillë dhe sot. Qyteti që prej 2008-s është pjesë e UNESCO-s duke u bërë kështu një
pasuri ndërkombëtare. Mangalemi
Kompleksi i lagjes «Mangalem» është gur i çmuar në artin e ndërtimeve, në të cilën kompozimi harmonik i shtëpive ka arritur një nivel të lartë. Ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Ky kompozim, kaq i madh në volum aq sa delikat në kompozimin e saj, karakterizohet nga një transparencë intensive për shkak të numrit të madh të dritareve, nga e cila merr emrin «qyteti i një mijë e një dritareve». Vizitorit i tërheqin vëmendjen rrugicat, të cilat edhe pse janë të «fshehura» kanë një bukuri të jashtëzakonshme. Shumë intime, me errësirën e tyre këto rrugica duket sikur sfumojnë godinat e lagjes. Rrugica si këto nuk mund të harrohen me lehtësi.
Kalaja 
Është ndërtuar me gurë gjigantë në formë katrori. Në periudhën bizantine kështjella ndodhej në listën e fortifikimeve të Justinianit. Muri rrethues rrethon kodrën, e cila dominon qytetin aktual të Beratit dhe ka formën e një shigjete drejtuar nga veriu, në fakt, më parë formonte një zinxhir me kodrën përballë Goricës, e cila është 6 m më e lartë. Gërmimet arkeologjike të kryera gjatë viteve 1976-1980 kanë pohuar faktin se vendbanimi i parë njerëzor është vendosur në hapësirën e Kalasë së Beratit, rreth 26 shek p.e.s. Rrjedhimisht provohet se kjo zonë ka qenë vazhdimisht e banuar. Lumi që kish formuar, në këtë pikë, një liqen dhe shumë larg një kaskadë gërreu pak nga pak shkëmbin duke formuar një grykë të ngushtë. Për këtë motiv shpati i kësaj ane është shumë i pjerrët e shkëmbor, dhe plot shkëmbinj, që vështrojnë drejt qiellit. Në pjesën e veriore në të cilën ndodhet porta kryesore, ka qenë ndërtuar një oborr i fortifikuar mirë, që është një nga ndërtimet e para të këtij lloji të realizuar në mesjetë me qëllim devijimin e sulmeve direkte. Në pjesën juglindore gjendet një cisternë uji e ndërtuar mjeshtërisht, që ishte në gjendje të mbante ujë të freskët. Për të siguruar ujin në mesjetën e vonë, në pjesën jugore u ndërtua një tunel guri nëpërmjet të cilit bëhej transportimi i ujit nga lumi në kështjellë. Në pjesën më të lartë të kështjellës ndodhet gjithashtu një akropol i rrethuar nga mure, brenda së cilës gjenden mbetjet e një garnizoni ushtarak, mbetjet e sarajeve të pashait dhe të Xhamisë së Bardhë në periudhën otomane.
 
Gorica  
Qyteti i mirëfilltë lindi në shek. IV p.e.s si qendër e fortifikuar. Në të njëjtin shekull, ndërtohet me kodrën përkundrejt, Kalaja e Goricës për të sunduar kalimin e rëndësishëm nëpërmjet luginës së Osumit. Në binomin Kala e Beratit, Kala e Goricës, e para që në krye njëherazi qendër e banuar, për të ardhur, pa ndërprerje e tillë deri më sot, ndërsa Kalaja e Goricës u ndërtua dhe mbeti fortifikim ushtarak-strategjik.
 
Ura e Goricës
Në brendësi të shtyllës së parë, deri në kohën e rikonstruksionit, ekzistonte një zgavër, një kamare e madhe e mbyllur me zgarë hekuri, në të cilën, sipas legjendës, duhej që një vajzë të qëndronte e mbyllur, e destinuar me vdekje nga uria si sakrificë për të qetësuar shpirtrat, të cilët kundërshtonin ndërtimin e urës. Në një tjetër shtyllë, gjatë restaurimit, u gjend një skulpturë prej druri, e cila përfaqësonte kokën e një gruaje. E ndërtuar mbi një bazament të fortë, e gjithë ura është e veshur plotësisht me gurë të gdhendur, të cilat mbahen mes tyre nga ganxha metalike. Ura është një ndër mirësitë e qytetit, e karakterizuar nga eleganca e gurit të bardhë e përdorur për ndërtim.
Ndërtimet e kultit kristian
Ndërtimet e kultit kristian janë më të hershme se ato të kultit mysliman. Ato shtrihen kryesisht brenda fortifikimit por edhe jashtë tij. Qyteti ka në përbërje të tij rreth 42 ndërtime të këtij kulti. Kishat e Beratit janë cilësuar edhe si perlat e periudhës mesjetare. Nga këto ndërtime do të veçoja:
 
Kisha e Shën Mëri Vllahernës
Kisha i përket periudhës bizantine, është e ndërtuar në brendësi të kalasë në shek. XIII kur Berati qe qendër e rëndësishme e Despotit të Epirit. Kisha është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë mbi tambur. Ajo ruan vlera të rëndësishme të pikturës murale, realizuar në vitet 1578, të cilat bëjnë autorësinë e Nikollës, birit të Onufrit.
 
Kisha e Shën Triadhës
Është e ndërtuar në hapësirën brenda kalasë. Është e ndërtuar në gjysmën e shek. XIII dhe gjysmës së shek. XIV. Objekti i kultit është i tipit kryq i brendashkruar.
 
Kodikët
“Kodikët e Beratit, emërtuar Beratinus, dy prej të cilëve, përkatësisht të shekujve VI dhe X janë përfshirë ne programin e UNESCO-s “Kujtesa e Botës””.
 
Epitafi i Gllavanicës
Epitafi i përket vitit 1373 dhe është një ndër tri vepra të këtij lloji në botë. Në qendër të tij konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit. Po kështu
 
Ndërtimet e kultit mysliman
Me pushtimin e Beratit më 1417, në qytet filloi të futej një erë e re si besimi, por edhe ndërtimi. Në këtë periudhë në qytet u ndërtuan një numër i madh xhamish.
 
Xhamia e Kuqe
Është një nga xhamitë më të vjetra që ruhet në qytetin e Beratit. Aktualisht gjendet në rrënojat ku ruhet salla e lutjeve me planimetri thuajse katrore dhe para saj ndodhet hajati me pothuajse të njëjtën gjerësi. Minarja është e ndërtuar në anën e majtë. Ajo është e vendosur ndryshe nga të gjitha xhamitë sepse është e kushtëzuar nga prania e mureve të rrethimit. Forma cilindrike e trupi të minaresë pa faqe është një shfaqje shumë e rrallë në arkitekturën e minareve tona. Teknika e ndërtimit e përdorur për muret e objektit është ajo e klausonazhit. Datimi i xhamisë paraqet vështirësi. Për nga teknika e ndërtimit dhe nga vendndodhja e saj mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit XV. Xhamia i ka shërbyer karvanëve që vinin nga lindja në perëndimi dhe më vonë i ka shërbyer garnizonit turk.
 
Xhamia e Bardhë
Xhamia e Bardhë mendohet të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV dhe me gurë të bardhë prej të cilëve ka marrë edhe emrin. Ajo njihet ndryshe edhe si Xhamia e Fatihut. Ndodhet brenda rrethimit të dytë të kalasë (akropolit), ashtu si të gjitha faltoret që ndërtoheshin në periudhën e sulltan Fatihut. Ajo mendohet se ka qenë xhamia e dytë e ndërtuar në Berat dhe kryesisht i ka shërbyer administratës osmane dhe garnizonit ushtarak. Xhamia përbëhet nga salla lutjeve e vendosur përballë hyrjes, hajati, dhe minarja e vendosur në të djathtë të hyrjes së sallës. Nga xhamia ruhen vetëm nëntë këmbë shkallë.

 

 

Xhamia Mbret
Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të qytetit. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV. Përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Në sallën e lutjeve tavani masiv i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formojnë strukturën dekorative të saj. Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të Zotit.
Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab në mënyrë që besimtarët e shumtë të mund të falen edhe në portik. Portiku është më i ri se Xhamia dhe është ndërtuar në fund të shekullit të XVIII nga Usta Dush Barka. Ai qarkohet nga një harkadë e mbështetur në kolona guri. Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin XV. Nga jashtë Xhamia është tërësisht e suvatuar dhe mbi suvatim është vizatuar për të imituar muraturën e saj.
Xhamia e Beqarit
Është e ndërtuar në vitin 1827, në pjesën e poshtme të lagjes “Mangalem”, prej esnafit të beqarëve. Ka një portik të gjerë dhe është e mbuluar prej mbulesë druri. Përveç xhamive në qytet janë të ndërtuara edhe teqe, ku vlera më të rëndësishme paraqet teqeja e Helvetije, ndërtuar në shek. XVIII. Për vlerat e pazakonta dhe të jashtëzakonshme qendra historike e Beratit u fut në UNESCO më 21 tetor 2008. Por, për ata që kanë dëshirë të dinë më shumë për këtë qytet ilir, unë i këshilloj të shfletojnë këto botime.